Skip to content

Narrow screen resolution Wide screen resolution Increase font size Decrease font size Default font size default color
About Us arrow Bala Blog arrow Imazhi i Ri Si Garanci Institucionale
Imazhi i Ri Si Garanci Institucionale

Ina Rama mund të mos jetë dot Silvia Conti e Shqipërise, por ajo sigurisht është një premtim shumë i mirë për institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë në Shqipëri, një prej sektorëve më të prekur nga korrupsioni me origjinë politike që vuan vendi gjatë të 17 viteve të tranzicionit.
Imazhi i ëmbël, vajzëror dhe i buzëqeshur lehtazi nuk i bën aspak hije karakterit të fortë që shpërfaq në fotot me sfond familjar gruaja e re nga Durrësi. Preferencat e saj ndaj të zezës dhe linjat e rregullta trupore po ashtu i rrinë mirë perceptimit që ka nevojë të prodhojë Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, brenda dhe jashtë vendit.
Besimi që ju dha kësaj gruaje të re flet për një qasje pozitive psikologjike të mazhorancës dhe asaj pjese të opozitës që e votoi atë. Fitorja e Ina Ramës është në fakt fitore e një grupi të madh gjinor pak të përfaqësuar në Shqipëri. Dështimi i saj do të ishte njëlloj i gjerë.
Një gjë është e sigurt: Ina Rama të paktën do të ketë shumë më tepër veshë që e dëgjojnë jashtë vendit, sesa mund të kishte çdo kandidat tjetër për krye-prokuror. Nëse quhet fitore, kjo është fitorja e vërtetë e atyre që e miratuan në atë post. Kurse performanca e saj brenda vendit është po aq e ndërvarur - sa ajo e Sollakut - nga klima politike mes kampeve.
Për këtë arsye, Ina Rama mund të mos bëhet dot një heroinë e Drejtësisë së shtrembëruar shqiptare, po ajo sigurisht është një fillim i mirë në rrugën e ndryshimit të imazhit të Drejtësisë në Shqipëri.
Nisur nga ky rrafsh, suksesi i saj do të jetë produkt i ushqimit të imazhit pozitiv nismëtar me hapa që prodhojnë më shumë kredibilitet publik, sesa politik. Prej këtij çasti Ina Rama më shumë se të arrijë një ekuilibër mes palëve, do të duhet të ndërtojë besueshmëri për publikun e gjerë, i cili - brenda dhe jashtë vendit - qëndron gjithnjë mbi rivalitetet e dy krahëve.
Transparenca institucionale, komunikimi permanent, vizioni afatgjatë në ndërtimin e imazhit duke ruajtur elementet njerëzorë të qënies dhe duke potencuar ato tipare të detyrës që prodhojnë respekt publik, janë rruga sesi Ina Rama mund të arrijë të na bindë se pritshmëria jonë si qytetarë ka marrë një përgjigje të denjë.
CV-ja e saj nuk ka më rëndësi tani. E ardhmja është peshorja e vërtetë e suksesit të parashikuar institucional. Por duhet ta pranojmë: imazhi i ri i Prokurorisë së Përgjithshme është sot më i mirë sesa pritej të ishte.

 
Next >
Top