|
Imazhi i Ri Si Garanci Institucionale |
|
Ina Rama mund të mos jetë dot Silvia Conti e Shqipërise, por ajo sigurisht është një premtim shumë i mirë për institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë në Shqipëri, një prej sektorëve më të prekur nga korrupsioni me origjinë politike që vuan vendi gjatë të 17 viteve të tranzicionit. Imazhi i ëmbël, vajzëror dhe i buzëqeshur lehtazi nuk i bën aspak hije karakterit të fortë që shpërfaq në fotot me sfond familjar gruaja e re nga Durrësi. Preferencat e saj ndaj të zezës dhe linjat e rregullta trupore po ashtu i rrinë mirë perceptimit që ka nevojë të prodhojë Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, brenda dhe jashtë vendit. Besimi që ju dha kësaj gruaje të re flet për një qasje pozitive psikologjike të mazhorancës dhe asaj pjese të opozitës që e votoi atë. Fitorja e Ina Ramës është në fakt fitore e një grupi të madh gjinor pak të përfaqësuar në Shqipëri. Dështimi i saj do të ishte njëlloj i gjerë. Një gjë është e sigurt: Ina Rama të paktën do të ketë shumë më tepër veshë që e dëgjojnë jashtë vendit, sesa mund të kishte çdo kandidat tjetër për krye-prokuror. Nëse quhet fitore, kjo është fitorja e vërtetë e atyre që e miratuan në atë post. Kurse performanca e saj brenda vendit është po aq e ndërvarur - sa ajo e Sollakut - nga klima politike mes kampeve. Për këtë arsye, Ina Rama mund të mos bëhet dot një heroinë e Drejtësisë së shtrembëruar shqiptare, po ajo sigurisht është një fillim i mirë në rrugën e ndryshimit të imazhit të Drejtësisë në Shqipëri. Nisur nga ky rrafsh, suksesi i saj do të jetë produkt i ushqimit të imazhit pozitiv nismëtar me hapa që prodhojnë më shumë kredibilitet publik, sesa politik. Prej këtij çasti Ina Rama më shumë se të arrijë një ekuilibër mes palëve, do të duhet të ndërtojë besueshmëri për publikun e gjerë, i cili - brenda dhe jashtë vendit - qëndron gjithnjë mbi rivalitetet e dy krahëve. Transparenca institucionale, komunikimi permanent, vizioni afatgjatë në ndërtimin e imazhit duke ruajtur elementet njerëzorë të qënies dhe duke potencuar ato tipare të detyrës që prodhojnë respekt publik, janë rruga sesi Ina Rama mund të arrijë të na bindë se pritshmëria jonë si qytetarë ka marrë një përgjigje të denjë. CV-ja e saj nuk ka më rëndësi tani. E ardhmja është peshorja e vërtetë e suksesit të parashikuar institucional. Por duhet ta pranojmë: imazhi i ri i Prokurorisë së Përgjithshme është sot më i mirë sesa pritej të ishte. |
|
Nga Alban Bala dt.30.10.2007
Protestat e fundit te qytetarëve në Kakarriq të Lezhës ndaj idesë për ndërtimin atje të një fabrike çimentoje janë këmbanat e fundit të një meshe, që rrezikon të kthehet në mortore për shanset reale të investimeve direkte të huaja në Shqipëri. Për të disatën herë publiku shqiptar detyrohet të zgjedhë rrugën e vështirë të protestës për të ngritur në lartësinë e shikimit si të investitorëve, ashtu edhe të qeverisë pretendimet e tij të natyrshme dhe reale. Në fakt, legjislacioni shqiptar parasheh një praktikë e cila pararend përgatitjen e investimeve në vend: kjo është matja e impaktit të pritshëm social të çdo investimi, ku bën pjesë vlerësimi i gatishmërisë së publikut për të mirëpritur atë ndërhyrje, plani i masave zbutëse ndaj kundërshtimeve të mundshme të publikut, etj. Mënyra sesi u manaxhua në këto vite reagimi i qytetarëve të Vlorës ndaj projekteve industriale dhe energjitike atje, tregon se pavarësisht pjekurisë legjislative dhe gatishmërisë politike për përthithjen e investimeve, një shtet jo gjithmonë favorizon shanset e tij të zhvillimit kur ju mbyll derën pretendimeve publike në këtë drejtim. Nga ana tjetër, vetë kompanitë kanë tanimë një përvojë të mjaftueshme për të kuptuar se nuk mjafton thjesht përgatitja e një pseudo-studimi sa për të kaluar provimin shtetëror të liçensimit. Ato duhet të jenë të sigurta se publiku- sot ose nesër- nuk do të ngrihet kundra tyre- për të dëshmuar me mjetet e rrugës epërsinë e natyrshme të shumicës së humbur ndaj pakicës që pretendon fitime. Balancuesi i këtyre raporteve në çdo rast mbetet shteti, i cili vuan si pasojat e reaksionit qytetar, ashtu edhe vonesat e pashmangshme në realizimin e projekteve. Serioziteti i një shteti nuk matet brenda solemnitetit të mbledhjes së KRRTRSH, por pikë së pari në vlerësimin që ai i jep qytetarëve të tij dhe të drejtave të tyre, shpesh të nëpërkëmbura. Respektimi i pritshmërive qytetare është detyrim edhe i enteve ndërkombëtare që kanë përgatitur hyrjen e një sërë investimesh në vend. Vonesat e vuajtura në këto rrethana nga Petrolifera në Vlorë bien në njëfarë mënyre së pari mbi atë strukturë financiare ndërkombëtare që nuk preferoi të maste seriozisht gatishmërinë e popullit të Vlorës për të strehuar një port nafte në gjirin detar– pavarësisht shkallës së madhe apo të vogël rrezikshmërisë që paraqet projekti. Ky shkrim bëhet sot, ngase në portat e Ministrisë së Ekonomisë apo në dyert e kryeministrit çdo ditë trokasin grupe të mëdhënj biznesi dhe investitorë të rëndësishëm. Sa më mirë të vihet pika mbi i mbi këto çështje, aq më të sigurt do të zhvillohen këto investime dhe aq më shumë përfitime politike do të arrijë të mbledhë qeveria prej tyre. Matësi real i suksesit të një administrate është publiku. Çdo qeveri që e harron këtë aksiomë, qeveris me një afat të shkurtuar dhe cilësohet anti-popullore.
|
|
|